Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona që dyshohen se qëndrojnë prapa dy grabitjeve të kryera nën kërcënimin e thikës në Prishtinë, njëra prej të cilave kishte ndodhur në parkingun e Qendrës Tregtare ndërsa tjetra vetëm pak minuta më vonë në një lagje tjetër të kryeqytetit, raporton Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se të arrestuarit janë: Fatjon Arifi 19 vjeçar, Fatlum Arifi, 19 vjeçar, Leart Kabashi, 20 vjeçar, Flamur Krasniqi, 19 vjeçar.
Sipas burimeve të Sinjalit, grabitja e parë kishte ndodhur në orët e para të 11 korrikut, rreth orës 00:20, në parkingun e Qendrës Tregtare në rrugën “Fehmi Lladrovci”, ku viktima A. K, 31 vjeçar kishte raportuar se ishte rrethuar nga disa persona, të cilët nën kërcënimin e një thike i kishin marrë rreth 30 euro para të gatshme.
Po atë natë, i njëjti grup dyshohet se ka kryer edhe një grabitje tjetër në rrugën “Lekë Dukagjini”, ku viktimë ishte një i mitur me inicialet N.K., 16 vjeçar.
Pas një pune intensive operativo-hetimore, hetuesit e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë – Stacioni Jugu, kanë siguruar prova, kanë identifikuar të dyshuarit dhe kanë realizuar arrestimin e tyre.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se katër të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa me aktvendim të Prokurores së Departamentit për Krime të Rënda u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Hetimet janë duke vazhduar, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që të arrestuarit të jenë të përfshirë edhe në raste të tjera të ngjashme të grabitjeve të kryera në kryeqytet.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!