Një informacion për të shtëna me armë ka mobilizuar njësitë policore në Vushtrri, ndërsa pas intervenimit në terren është sekuestruar një armë zjarri dhe municion.
Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se Policia ka pranuar më 3 qershor, rreth orës 19:20, informatë për të shtëna me armë në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë.
Menjëherë pas pranimit të informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë reaguese dhe hetuesit policorë, të cilët kanë nisur verifikimin e rrethanave të rastit.
Gjatë veprimeve hetimore është identifikuar Veltit Maloku, i cili ka dorëzuar vullnetarisht një pushkë të tipit M-48 si dhe tre fishekë.
Megjithatë, pavarësisht informacionit fillestar, hetuesit nuk kanë arritur të sigurojnë prova që do të vërtetonin se në lokacion kishte pasur të shtëna me armë zjarri.
Në konsultim me prokurorin kujdestar, rasti është iniciuar për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Arma dhe municioni janë sekuestruar nga Policia si prova materiale, ndërsa i dyshuari është intervistuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!