Getafe nuk pranon të udhëtojë në Milano të Italisë për ndeshjen e 1/8 të finales së Ligës së Evropës kundër Interit, pasi që presidenti i klubit, Angel Torres, nuk dëshiron t’i rrezikojë lojtarët e tij mes krizës së koronavirusit që është përhapur shumë në këtë vend.
Një dekret i qeverisë i lëshuar nga kryeministri italian Giuseppe Conte të hënën e vendosi Italinë në karantinë, me mbi nëntë mijë persona të infektuar nga virusi Covid-19.
Eventet sportive vendore në Itali janë shtyrë deri më 3 prill, por përballja e Ligës së Evropës mes Interit dhe Getafes në San Siro ishte planifikuar të zhvillohet prapa dyerve të mbyllura, pa tifozë të pranishëm në stadium.
Presidenti i Getafes, Torres, nuk pranon ta lejojë skuadrën e tij të udhëtojë në Milan, megjithatë e pranon se ky vendim mund të rezultojë me vendimin e klubit spanjoll për t’u tërhequr nga gara.
“Përveç në rast se ndryshojnë gjërat, nesër Getafe nuk do të udhëtojë në Itali. Ne kërkuam që UEFA ta gjejë një alternative për ndeshjen në Milano. Ne nuk duam të shkojmë atje në mes të koronavirusit, s’kemi nevojë”, ka thënë Torres.
“Ne kemi kërkuar për ndihmë nga Federata e Futbollit e Spanjës për të kërkuar suspendim të ndeshjes. Nëse ne do të duhet ta humbim ndeshjen, ne do ta humbim. Unë nuk po kërkojë rrezik. Kjo na bën shumë emocional”.