Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Radeshë të komunës së Dragashit, ku një i mitur ka humbur jetën pasi ka rënë në një lumë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Dragash, bëjnë të ditur se 6-vjeçari ishte dërguar në spital rreth orës 19:00 dhe i njëjti ishte pa shenja jete.
Me të arritur në spital, stafi shëndetësor kishin ndërmarrë veprimet e menjëhershme për t’i dhënë ndihmë mjekësore të miturit, duke provuar ta reanimojnë, por për fat të keq e gjithë kjo nuk rezultoi me sukses.
Si rrjedhojë, mjeku kujdestar në QKMF konstatoi vdekjen e 6-vjeçarit.
Sinjali mëson se ende nuk dihen rrethanat të cilat bënë që i mituri të bie në lumin e fshatit Radeshë, ngjarje kjo e cila përfundoi tragjikisht.
Sinjali do t’iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.
Gjatë ditës së sotme edhe një i mitur i moshës 12-vjeçare ka humbur jetën, pasi që i njëjti është gjetur pa shenja jete në kanalin e “Ibër Lepencit” në fshatin Vaganicë të Mitrovicës. I mituri dyshohet se ka hyrë për t’u larë në lumë, por pastaj është mbytur.