“Kërkoj ndihmë nga Zoti, jam në mes të rrugëve”, është kjo dëshmia mes lotëve e Leonard Rrasa, djalit të Hekuran dhe Fëllënxa Rrasës, të cilët mbetën viktimë e një krimi në familje pasditen e sotme në Divjakë.
I riu tregon se ka qenë në kafe në momentin kur e kanë njoftuar për krimin që kishte ndodhur në familjen e tij, pasi të afërmit kishin dëgjuar të shtënat.
Familjarë dhe të afërm të familjes Rrasa kanë rrëfyer se çifti ka pasur grindje kohët e fundit, edhe për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike në të cilën jetonin.
Hekuran Rrasa qëlloi fillimisht gruan e tij dhe më pas veten, ndërkohë që të afërmit thonë se nuk ka pasur probleme të shëndetit mendor, dhe së fundi punonte në Bashkinë e Divjakës në drejtorinë e mirëmbajtjes dhe pastrimit.
Ndërkohë, vëllai i Hekuran Rrasës është shprehur se armën viktima e ka pasur me leje, dhe ndoshta konflikti ka ndodhur për shkak të ekonomisë së dobët.
“Punonin, por kishin ekonomi të dobët. Mua më lajmëruan hajde këtu se ka ndodhur diçka. Kishin probleme mbi ekonominë, por nuk di të ketë ushtruar dhunë ndaj gruas. Armën unë di që e ka pasur me leje dhe e ka shumë të vjetër, ka vite që e ka blerë”, tha vëllai i autorit Hekuran Rrasa.
“Ata s’bënin llafe, por kohët e fundit po, Hekurani punonte në bashki, ajo në shtëpi me punët e shtëpisë”, tha një prej komshinjve.
Të afërmit kanë hapur dyert e mortit.
“ABC” ka siguruar pamjet, ku shtëpia është rrethuar nga forcat e policisë, ndërsa te familjarët ka pllakosur heshtja nga tronditja.