image Kosovarët nuk e tradhtojnë Durrësin: E kemi si detyrim të vijmë (VIDEO)

Shqipëri

Kosovarët nuk e tradhtojnë Durrësin: E kemi si detyrim të vijmë (VIDEO)

news image

Çdo vit qindra-mijëra turistë nga Kosova nisen drejt plazheve të Durrësit. Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në më shumë se dy dekada, qyteti bregdetar i Durrësit është kthyer në hapësirën turistike më të preferuar për ta.

Zeqir Haxha nga Mitrovica, pushon në plazhin e Durrësit prej të paktën 20 vitesh. Ai tregon disa nga arsyet që shqiptarët e Kosovës kalojnë masivisht pushimet në Durrës.

“Ne në Kosovë nga mungon deti, sigurisht marrëdhëniet tona vëllazërore që nga lufta, ndihma juaj, kështu që e kemi si detyrim të vijmë”, tha ai.

Zeqiri thotë se Shqipëria u ka munguar ndër vite, aq sa dhe fëmijëve u kanë vendosur emra të qyteteve apo vendeve shqiptare.

“Ne më herët na ka munguar Shqipëria. Unë personalisht e kam djalin me emrin Berat. Kemi shumë familjarë me Valbonë. Patriotizmi nuk ka munguar e as nuk do mungojë kurrë”, tha një tjetër.

Të tjerë pushues nga Kosova janë po aq besnik të këtij plazhi ndër vite, ku krahas bukurisë natyrore, ata shprehen se në plazhet e Durrësit ndjehen si në vendin e tyre.

“Më tepër më tërheq plazhi që nuk ka gurë. Për fëmijët deti është pa gropa dhe mund ta frekuentojnë pa problem”, tha një pushues.

Edhe pse vitet e fundit pushuesit e Kosovës po eksplorojnë plazhet në Shëngjin e Velipojë, apo në jug të vendit, ata vazhdojnë të përbëjnë numrin më të madh të pushuesve në plazhet e Durrësit, me mbi 60 për qind të tyre.

/GazetaSinjali/