Këngëtarja Morena Taraku, ishte përfshirë në një sërë skandalesh me veturën “Bently” që ajo e kishte blerë në Gjermani e që më pas kishte rezultuar të jetë e vjedhur, raporton Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali ka arritur të sigurojë dokumentin me të cilin dyshohet se ajo kishte futur në Kosovë veturën e saj “Bently” pa paguar asnjë cent. Ajo me anë të këtij dokumenti kishte arritur ta dëshmonte se vetura është në pronësi të saj.
Në dokumentin e siguruar nga Gazeta Sinjali, thuhet se pagesa prej 235 mijë eurove do të kompensohet me anë të reklamimit nga Morena Taraku, ndërsa nëse një gjë e tillë nuk bëhet deri në vitin e ardhshëm, atëherë duhet të kryhet pagesa.
“Bazuar në një parapagim shuma prej 235.000 euro do të kompensohet me marketing nga Morena Taraku për kompaninë tonë ose do të paguhet vitin e ardhshëm”, thuhet në dokumentin e siguruar nga Gazeta Sinjali në të cilin figuron data e 14 tetorit të këtij viti.
Morena Taraku teksa kishte futur “Bentlyn” në Kosovë kishte tentuar ta shmangte pagesën e taksës doganore që ishte në vlerë prej 14 mijë e 118 euro.
Taraku kishte prezantuar para Doganës së Kosovës se veturen e saj si të re, që me kodin doganor do të shpëtonte nga pagesa prej 14 mijë e 118 euro. Por, Dogana e Kosovës më pas kishte konfirmuar se “Bently” i Morena Tarakut kishte pasur 2 mijë e 194 kilometra të kaluara dhe kishte pasur regjistrim të rregullt në Gjermani.
Ndërkohë në fund të muajit të kaluar Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht për konfiskimin e veturës së Tarakut për shkak se dyshohet se kishte qenë e vjedhur në Gjermani./Gazeta Sinjali/