19-vjeçarja, që mori plagë të rënda nga djegia në Velipojë një javë më parë nuk i mbijetoi dot shpërthimit pavarësisht mjekimit në Itali.
Daniela Gjoka nuk arriti të veshë fustanin e bardhë këtë verë.
Daniela do të martohej në muajin gusht, por aksidenti që i ndodhi në hotelin e familjes në Velipojë i mori jetën tragjikisht.
Zjarri i shkaktuar nga një bombol kampingu plagosi rëndë nënën e saj dhe dy fëmijët e mitur të familjes Gjoka, 15 dhe 12 vjeç.
Mëngjesin e katër korrikut, nëna 40-vjeçare, Alketa Gjoka ka tentuar të ndezë një prej bombolave të gazit, por ka pasur rrjedhje, e cila më pas ka çuar në shpërthim flakësh. Zjarri përfshiu dhomën dhe gjithë hotelin.
Pak ditë më parë, policia e Shkodrës arrestoi shitësin e gazit, i cili akuzohet se tregtonte pa licencë gaz të lëngshëm dhe naftë, jashtë kushteve tekniko-ligjore, lëndë me të cilën furnizohej dhe hoteli i 40-vjeçares.
Për ekspertët e Inspektoriati Shtetëror Teknik dhe Industrial ky ishte një gabim njerëzor dhe se bombolat e kampingut që kishte familja në përdorim duhet të shfrytëzohen vetëm njëherë dhe jo të rimbushen. Pas kësaj ngjarjeje, ata këshillojnë konsumatorët që bombolat t’i blejnë vetëm në pika të certifikuara. /Gazeta Sinjali/