Arber Zeqiri, djali i A.Z. pjesëtarit të Njësisë Speciale të Kosovës dyshohet të ketë gjuajtur tetë herë me armë zjarri. Atij dyshohet se i janë gjetur pa leje një kallashnikov dhe një revole. Përkundër se kishte paraqitur kërcënim serioz për sigurinë publike, djali i pjesëtarit të njësisë speciale ishte lënë i lirë
Pak orë pasi Gazeta Sinjali raportoi lidhur me dyshimin e përfshirjes së djalit të pjestarit të Njësisë Speciale në të shtëna me armë zjarri, i dyshuari Arber Zeqiri ka telefonuar në redaksi.
Ai ka mohuar se ka qenë i pranishëm në këtë rast, por ka implikuar shokët duke thënë se ata kanë shkuar në Hajvali për të blerë armë.
Sipas Zeqirit, personi i cili ua ka shitur armët ka gjuajtur disa herë për ta provuar nëse arma ishte në gjendje të rregullt.
Përkundër deklaratës së tij, Arber Zeqiri është duke u hetuar si i dyshuar për këtë rast nga Prokuroria Themelore e Prishtinës. Zëdhënësja e këtij institucioni, Laureta Ulaj, ka thënë se, deri më tani, nuk është ngritur aktakuzë ndaj Arber Zeqirit dhe shokëve të tij.
“Nuk kemi të bëjmë ende më aktakuzë, do të thotë rasti ka filluar me u hetu në Prokurorinë e Prishtinës në procedurë të rregullt, në cilësinë e të dyshuarit, mirëpo nuk ka ngritje të aktakuzës sepse ende është në fazën e grumbullimit të informatave dhe provave.” ,ka thënë Ulaj për Gazetën Sinjali.
Ajo ka shtuar se në cilësinë e të dyshuarve janë tre persona derisa të gjenden prova të tjera.
Policia e Kosovës konfirmoi ditë më parë se Arber Zeqiri ishte arrestuar së bashku me shokët e tij si të dyshuar për gjuajtje me armë zjarri në Hajvali.
“Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj K/Shqiptar nën dyshimin se të njëjtit kanë shtënë me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar tetë gëzhoja. Si të dyshuar janë intervistuar edhe tre të dyshuar tjerë meshkuj K/Shqiptar dhe gjatë kontrollit në një veturë, janë gjetur dhe konfiskuar një AK/47, një pistoletë dhe shtatë fishekë”, thuhej në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës të datës 22 janar.
Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt. /Gazeta Sinjali/