image U lirua menjëherë djali i pjesëtarit të Njësisë Speciale i cili dyshohet se gjuajti 8 herë me armë në Hajvali

Kosovë

Prokuroria/ U lirua menjëherë djali i pjesëtarit të Njësisë Speciale i cili dyshohet se gjuajti 8 herë me armë në Hajvali

news image

Arber Zeqiri, djali i A. Z. pjesëtarit të Njësisë Speciale të Kosovës është lënë i lirë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkundër se dyshohet që kishte gjuajtur tetë herë me armë zjarri dhe i ishte gjetur pa leje një revole si dhe një kallashnikov, raporton Gazeta Sinjali.

E gjithë ngjarja kishte ndodhur më 21 janar të këtij viti në Hajvali afër Prishtinës, kur djali i pjesëtarit të Njësisë Speciale, me veprimet e tij kishte rrezikuar qytetarët dhe prishur rendin publik.

Gazeta Sinjali, ka tentuar të marr një përgjigje për këtë rast nga Prokuroria Themelore e Prishtinës se përse Arber Zeqiri ishte lënë i lirë, përkundër se kishte shkaktuar rrezik të përgjithshëm si dhe kishte poseduar armë pa leje, por të njëjtit nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje për mediumin.

Policia e Kosovës kishte dhënë detaje të shkurta lidhur me rastin që ishte përfshirë djali i pjesëtarit të Njësisë Speciale duke bërë të ditur se ishte konfiskuar një revole në veturën e tij si dhe një kallashnikov. Aty konfirmohet se Arber Zeqiri së bashku me dy personat e tjerë ishin liruar në procedurë të rregullt.

“Hajvali 22.01.2019-00:51. Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj K/Shqiptar nën dyshimin se të njëjtit kanë shtënë me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar tetë gëzhoja. Si të dyshuar janë intervistuar edhe tre të dyshuar tjerë meshkuj K/Shqiptar dhe gjatë kontrollit në një veturë, janë gjetur dhe konfiskuar një AK/47, një pistoletë dhe shtatë fishekë. Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës në raportin 24-orësh të 21 janarit, po ashtu edhe përgjigje e policisë për këtë rast.

Në anën tjetër siç merr vesh Gazeta Sinjali, armë pa leje ishin gjetur edhe në shtëpinë e Arber Zeqirit që banon së bashku me babanë e tij që është pjesë e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës./Gazeta Sinjali/