image Deputetët e Kosovës ratifikojnë marrëveshjen për IPA-në - Sinjali

Deputetët e Kosovës ratifikojnë marrëveshjen për IPA-në

news image

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar me 96 vota pro Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2019. Kjo shumicë unanime e votave erdhi pas mbështetjes së dy partive opozitare Lëvizjes Vetëvendosje dhe PDK-së, njofton Gazeta Sinjali.

Duke arsyetuar këtë projektligj, zëvendëskryeministri, Driton Selmanaj tha se vendi përfiton shumë nga ratifikimi i saj.

“Kjo marrëveshje financiare përfshinë vetëm fondet për të cilat nevojitet bashkëfinancimi nga Kosova nga programi vjetor IPA 2019 pjesa 2, por është e të njëjtin program. Pra, nga programi vjetor IPA 2019 kemi edhe një marrëveshje tjetër që është nënshkruar nga kryeministri dhe për të cilin është kryer dekretimi nga presidenti. Në atë rast ne do përfitojmë nga BE-ja 42 milionë euro, por nuk kemi bashkëfinancim dhe nuk ka pasur nevojë ratifikim për nga Kuvendi”, tha ai.

Ndërsa, nga Lëvizja Vetëvendosje, deputeti Hekuran Murati, për përkrahjen ndaj këtij projektligji tha se ata do të mbështesin çdo gjë të mirë për vendin.

“Ne e dijmë që pa votat e LVV-së nuk do të kalonte, ne kemi përkrahur këtë marrëveshje dhe çdo gjë është e mirë për shtetin tonë”, u shpreh ai.

Ndërkaq, Blerta Deliu nga PDK-ja duke pasur rëndësinë e këtij projektligji tha se janë pro tij.

“Ne e kuptojmë rëndësinë e saj dhe do të votojmë pro marrëveshjes”, përfundoi ajo. /Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin