image BQK: Viti 2022 me rritje të çmimeve dhe rënie të të ardhurave

Financa

BQK: Viti 2022 me rritje të çmimeve dhe rënie të të ardhurave

news image

Banka Qendrore e Kosovës ka publikuar raportin “Vlerësimi Tremujor i Ekonomisë” për tremujorin e dytë të këtij viti. Si në pasqyrat e shumë raporteve tjera vendore e ndërkombëtare, edhe në këtë raport, përgjatë këtij viti, del se Kosova ka përjetuar rritje drastike të çmimeve, rritje të importit si dhe rënie të të ardhurave e të disponueshme në vend.

Në tremujorin e dytë të këtij viti, sipas raportit të BQK, rritja e aktivitetit ekonomik është ngadalësuar në 2.1 për qind, ndërsa për vitin 2022 parashikohet rritje reale të ngadalësuar të BPV-së (Bruto Produkti Vendor) prej 2.9 për qind.

Si pasojë e ngadalësimit të aktivitetit ekonomik, edhe iniciativa ndërmarrëse rezulton të jetë ngadalësuar.

Në tremujorin e dytë të këtij viti u regjistruan 2,835 ndërmarrje të reja apo vetëm 0.8 për qind mё shumë, ndёrsa u mbyllёn 460 ndërmarrje apo 20.7 për qind më shumë krahasuar me tremujorin e dytë të vitit paraprak, vlerëson raporti.

Në anën tjetër, në tremujorin e dytë të 2022, inflacioni në Kosovë arriti nivelet më të larta që nga mesi i vitit 2008, i nxitur kryesisht nga rritja e jashtëzakonshme e çmimeve të energjisë dhe ushqimit. Indeksi i çmimeve të konsumit gjatë tremujorit të dytë të këtij viti arriti 12.6 për qind.

Rritja e kostove dhe pengesat e vazhdueshme në zinxhirët e furnizimit të mallrave të ushqimit dhe energjisë kanë bërë që këto komponentë të indeksit të përgjithshëm të shënojnë rritjen më të lartë, me kategorinë e ushqimit dhe pijeve joalkoolike që shënoi rritje prej 16.6 për qind, dhe çmimet e energjisë elektrike, gazit, dhe lëndëve tjera djegëse që shënuan rritje prej 17.1 për qind.

/GazetaSinjali/