image Banka ProCredit sërish pre e deponimeve me bankënota të falsifikuara - Sinjali

Banka ProCredit sërish pre e deponimeve me bankënota të falsifikuara

news image

Paratë e falsifikuara po qarkullojnë shumë kohëve të fundit nëpër bizneset në Kosovë. Këtë e dëshmon edhe numri i madh i rasteve të raportuara në Policinë e Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se dje, rreth orës 13:30 në rrugën “Jusuf Gërvalla” në Prishtinë, në një prej bankave komerciale, është raportuar për disa raste të dyshuara me para të falsifikuara.

Sinjali mëson se njëri nga menaxherët e bankës ProCredit ka raportuar se që nga data 12 korrik e deri më datë 08 gusht 2022, nga klientë të ndryshëm janë deponuar para që dyshohen se janë të falsifikuara.

Sipas tij, në mesin e parave të falsifikuara janë hasur dy kartëmonedha në vlerë prej 100 euro, të deponuara në bankomat, si dhe monedha të vlerës 1.00 euro dhe 2.00 euro, në vlerë prej 55 euro.

Paratë janë sekuestruar nga Policia dhe tashmë në koordinim me prokurorin e shtetit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, hetimi ka filluar për veprën penale “Falsifikim i parasë”.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin