image Arrestohet personi që sulmoi Kryeinspektorin e Punës në Mitrovicë

Siguri

Arrestohet personi që sulmoi Kryeinspektorin e Punës në Mitrovicë

news image

Policia e Kosovës ka arrestuar një të dyshuar për sulmin ndaj kryeinspektorit të Punës për rajonin e Mitrovicës, Nexhat Fazliut, shkruan Gazeta Sinjali.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar vetë Fazliu i cili tha se i dyshuari me inicialet M.K., nga Mitrovica, është arrestuar sot.

Kryeinspektori për rajonin e Mitrovicës bëri të ditur se policia është në kërkim edhe të dy personave të tjerë të dyshuar lidhur me këtë rast, të cilët tha se gjenden në arrati.

Nexhat Fazliu ishte sulmuar për vdekje nga tre persona të panjohur, derisa ishte duke shkuar në punë, më 30 prill të këtij viti.

Sulmi ndaj tij ishte bërë për shkak se ai si kryeinspektor i Punës kishte shqiptuar gjobë ndaj një biznesi që e kishte punësuar një 16-vjeçare për të punuar nga ora 18:00 pasdite deri në ora 04:00 të mëngjesit, gjë e cila ndalohet me ligjin e punës në Kosovë.

M.K., dhe dy të tjerët që ndodhen në arrati janë punonjës të biznesit i cili është gjobitur nga Inspektorati i Punës.

Inspektorët e punës dhe kryeinspektori janë kërcënuar edhe në prezencën e policisë lokale të Komunës së Mitrovicës, por policia nuk i ka arrestuar të dyshuarit. Lidhur me neglizhencën dhe mosreagimin e Policisë është hapur rast edhe ne Inspektoratin e Policisë.

Rasti është cilësuar si vrasje në tentativë dhe dëmtim i pasurisë shtetërore.

Kryeinspektori i Punës në Mitrovicë, Nexhat Fazliu, më 30 prill është sulmuar fizikisht gjatë orarit të punës nga dy persona të panjohur. Ai ishte dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës./Gazeta Sinjali/