image MEPTINIS ende asnjë reagim për sulmin që iu bë kryeinspektorit të punës në Mitrovicë

Kosovë

Siguri/ MEPTINIS ende asnjë reagim për sulmin që iu bë kryeinspektorit të punës në Mitrovicë

news image

Ministria në detyrë e Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Invesimeve Strategjike (MEPTINIS) nuk ka dalë ende me asnjë reagim rreth sulmit që iu bë të hënën kryeinspektoratit të punës për rajonin e Mitrovicës, Nexhat Fazliu, shkruan Gazeta Sinjali.

Fazliu shprehet i shqetësuar se si një sulm i tillë ndaj tij nuk zgjoi vëmendjen e qeverisë në detyrë, për të cilën thotë se në programin e saj qeverisës proklamon të drejtat dhe mbrojtjen e punëtorëve.

“Kryeministri e çoi në këmbë Kosovën, bëri spektakël mediatik, kur një këshilltar i tij u ftua për intervistim nga policia, por nuk tha asnjë fjalë kur u sulmua kryeinspektori që menaxhon inspektorët e punës në 7 komuna të Kosovës, përfshi edhe 4 komunat veriore. Dje ishte 1 Maji, shtrohet pyetja se si ka mundësi t’i mbrojmë ne inspektorët punëtoret e shkelur nga mafia e ndërtimit dhe të natyrave të ndryshme, kur ne inspektorët nuk mbrohemi nga shteti”, tha ai.

Fazliu u sulmua me shkopinj bejsbolli nga tre persona të panjohur, të maskuar, derisa ishte duke shkuar në punë të hënën. Ai për Gazetën Sinjali ka thënë se dyshon se sulmuesit janë “mafia e ndërtimit”.

Kryeinspektori i punës për rajonin e Mitrovicës thotë se kishte marrë kërcënime muaj më parë, për të cilat thotë se ka qenë e njoftuar edhe policia e Kosovës. Madje ai thotë se është kërcënuar dhe përcjellur për dy, tre orë nga persona të panjohur, në prezencë të policisë.

“Unë para rreth një muaji apo dy, jam kërcënuar nga persona të njohur për policinë dhe në prezencë të policëve dhe na kanë përcjellur për dy apo tri orë. Policia nuk i ka arrestuar dhe i kemi shkruar e-mail zyrtar edhe komandandatit të stacionit Jugu në Mitrovicë lidhur me këtë rast, mirëpo nuk kemi marrë informata se çka është bërë me këtë rast. Po ja që ndodhi ajo që i paralajmëruam Policinë”, tha ai për Gazetën Sinjali.

Fazliu thotë se me këtë rast është sulmuar direkt shteti i Kosovës, sepse është sulmuar vetura zyrtare e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ai thotë se ky sulm ka ardhur për shkak të punës së tij si inspektor, pasi ai personalisht nuk ka asnjë problem me askënd.

Fazliu thotë se kanë marrë vazhdimisht kërcënime dhe vazhdojnë të marrin, kryesisht nga punëdhënësit e sektorit të ndërtimtarisë që prej se ka filluar punën në këtë rajon, një vit e gjysmë më parë.

Megjithatë, kryeinspektori i punës i cili menaxhon inspekorët e punës në 7 komuna të vendit, thotë se do të vazhdojë punën e tij edhe më i fortë, në mënyrë që t’i parandalojnë vdekjet dhe shkeljet e të drejtave të punëtorëve.

“Unë do të jem edhe më i fortë dhe më i përkushtuar në kryerjen e detyrës së punës shtetërore që mendoj se i’a kemi borxh secili atdheut që ta forcojmë zbatimin e rendit dhe ligjit në Kosovë”, tha ai.

Fazliu tha se Policia e Kosovës është duke punuar në zbardhjen e rastit që kryesit e krimit të marrin dënimin e merituar./Gazeta Sinjali/