Argjentina dhe Kolumbia janë gati për duelin gjysmëfinal të Kupës së Amerikës, transmeton Sinjali Sport.
Dy kombëtaret do të përballen me njëra-tjetrën të mërkurën (03:00 me orën tonë) në “Estadio Nacional de Brasiília” të Brazilit.
Kush fiton do të gjejë Brazilin e Neymar në finale, pasi dje e eliminoi Perunë me rezultat minimal 1-0.
Juan Cuadrado, një nga “senatorët” e Kolumbisë bën thirrje që të mos fokusohet gjithçka te Leo Messi. “Pleshti” është gjenial, por Argjentina ka edhe lojtarë të tjerë të frikshëm.
“Të gjithë e dimë se çfarë përfaqëson Leo Messi, por nuk është vetëm ai. Argjentina ka lojtarë të ndryshëm që mund të na dëmtojnë. Gjithsesi, ne nuk do e tradhtojmë stilin tonë të lojës.
Nëse e qarkullojmë mirë topin, atëherë do kemi shumë mundësi për t’u bërë të rrezikshëm.
Është si një finale, objektivi ynë i madh është kalimi në Maracana. Jemi të mbushur me entuziazëm dhe besim“, thekson lojtari i Juventusit. /Gazeta Sinjali Sporti/