image Apeli ua ashpërson dënimet dy të akuzuarve që sulmuan zyrtarët policorë në Ferizaj

Drejtësi

Apeli ua ashpërson dënimet dy të akuzuarve që sulmuan zyrtarët policorë në Ferizaj

news image

Gjykata e Apelit ua ka ashpërsuar dënimet me burgim dy të akuzuarve për sulm ndaj personit zyrtar, E.G dhe E.E nga Ferizaj.

Përmes një komunikate për media, Apeli ka njoftuar se dy të akuzuarve u ka shqiptuar nga një vit burgim efektiv, secilit veç e veç, raporton Gazeta Sinjali.

“Gjykata e Apelit, e ka aprovuar pjesshëm ankesën e prokurorisë themelore në rastin e të pandehurve E.G. dhe E.E. nga Ferizaj. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj i datës 29.09.2020, është ndryshuar, vetëm sa i përket vendimit mbi dënim. Të pandehurve (secilit veç e veç) u është ashpërsuar dënimi më burgim nga 7 muaj sa u është shqiptuar nga ana e gjykatës së shkallës së parë, në një vit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Të dy këta të akuzuar, Gjykata Themelore në Ferizaj, i kishte gjetur fajtor për sulm ndaj dy zyrtarëve policorë, vepër kjo e dënueshme sipas nenit 402 paragrafi 4 lidhur me paragrafët 2 dhe 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Mirëpo, sipas vlerësimit të Apelit, me rastin e vlerësimit të rrethanave renduese, gjykata e shkallës së parë, është dashur të ketë në konsideratë edhe faktin se zyrtarët policorë, natën kritike ishin në detyra zyrtare, duke realizuar Planin Operativ për Zbatimin e Masave kundër Pandemisë COVID-19.

“Kurse të pandehurit përveç që nuk ishin duke i zbatuar këto masa, ata edhe i kanë sulmuar të dëmtuarit në një vend publik. Andaj, nisur nga pesha e veprave penale, si dhe rrethanat tjera të rastit konkret, kolegji penal ka ardhur në përfundim se dënimet e shqiptuara nga gjykata e shkallës së parë ndaj të pandehurve janë dënime të buta” – përfundon njoftimi i Apelit. /Gazeta Sinjali/