image Apeli kthen lëndën në rivendosje për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit

Drejtësi

Apeli kthen lëndën në rivendosje për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit

news image

Departamenti Special i Gjykatës së Apelit në Prishtinë e ka kthyer lëndën në rivendosje dhe kështu aktakuza e Prokurorisë Speciale lidhur me rastin e vrasjes së politikanit Oliver Ivanoviq, nuk është konfirmuar, transmeton Gazeta Sinjali.

Gjatë muajit, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, kishte vazhduar masën e paraqitjes së detyrueshme në polici edhe për dy muaj të Dragisha Markoviq, Silvana Arsoviq dhe Zharko Jovanoviq, të cilët dyshohen se u kanë ndihmuar autorëve me veprimet e tyre në kryerje të vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Avokati mbrojtës i të akuzuarës, Silvana Arsoviq, e cila ka qenë asistente e partisë, tregon se janë aprovuar ankesat dhe kundërshtimet e avokatëve në këtë rast penal.

“Aktakuza e Prokurorisë Speciale lidhur me rastin e vrasjes së politikanit Oliver Ivanoviq, nuk është konfirmuar. Përkatësisht Departamenti Special i Gjykatës së Apelit në Prishtinë e ka kthyer lëndën në rivendosje. Duke i aprovuar në këtë mënyrë ankesat dhe kundërshtimet e avokatëve në këtë rast penal”, ka thënë ai.

Ndër të tjera, ai shton se përveç të dyshuarve të cilët janë të përfshirë në këtë procedurë, ekzistojnë dyshimet edhe për figura të tjera të biznesit, politikës dhe mafias.

Lideri i Partisë Liri, Demokraci dhe Barazi, Oliver Ivanoviq u qëllua për vdekje më 16 janar në vitin 2018 në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës.

Mediat serbe e përshkruan vrasjen si akt të kryer në makinë nga më shumë se një person, derisa Ivanoviq po shkonte në zyrat e partisë. Policia dyshon se një makinë e gjendur e djegur në një tjetër rrugë të Mitrovicës është përdorur nga autorët e krimit, e më pas është djegur për të humbur gjurmët.

Në nëntor 2019, Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në veri të Mitrovicës, të cilët dyshohet se kanë lidhje me vrasjen e Ivanoviqit. /Gazeta Sinjali/