Besnik Shala, 32-vjeçari i njohur me nofkën “qorri”, u vra mbrëmë nga policia në “Lagjen e Trimave” në Prizren, pasi fillimisht rezistoi arrestimin duke gjuajtur me armë zjarri në drejtim të policëve.
Policët në vetëmbrojtje iu kundërpërgjigjën me armë zjarri “Qorrit” dhe si pasojë e plumbave të shkrepur prizrenasi pësoi plagë vdekjeprurëse.
Vrasja e “Qorrit” nga policia nxiti reagimin e shokëve të tij, të cilët shpresojnë se ai do të pranohet “shehid” nga Zoti.
“Allahu të pranoftë shehid, vëllai ynë. Amin. Ne nuk qajmë për shehidat e umetit islam, shpirtrat tanë gëzohen për atë që ta mundësoi Allahu shehid, in shaa Allah. Zemrat tona janë të pikëlluara nga hidhërimi ndaj kufarëve. Allahu ua dhëntë hakun përmes duarve të besimtarëve. Amin”, ka shkruar njëri nga shokët e të Besnikut, duke bashkëngjitur postimin e të ndjerit të bërë një muaj më parë, ku thoshte: “Vdekja ime t’ju gëzoj. E askush të mos lotoj. Bëni lutje hiç pa nda. T’jem Shehid In shaa Allah.”
Ndërkaq, një tjetër mik i Besnikut ka shkruar: “Vritet vëllai nga Prizreni gjatë përleshjes me Policisë e Kosovës. Qentë serbë ecin të lirë nëpër territorin e Kosovës, ndërsa shqiptari vritet në oborrin e tij. Lusim Allahun ta pranojë në mesin e shehidave”.
Gazeta Sinjali raportoi pak më parë se gjatë ditës së sotme Policia e Kosovës ka arrestuar M.Shala (emër i njohur për redaksinë), vëllain e 32-vjeçarit, i cili dyshohet se ka bërë thirrje në Facebook për hakmarrje ndaj Policisë së Kosovës./Gazeta Sinjali/