image Aksion i Policisë në një fshat të Prishtinës: Arrestohen dy vëllezërit e dyshuar për gjashtë vjedhje të rënda

Siguri

Aksion i Policisë në një fshat të Prishtinës: Arrestohen dy vëllezërit e dyshuar për gjashtë vjedhje të rënda

news image

Një aksion i Policisë i zhvilluar sot në orët e mëngjesit në fshatin Mramor të Prishtinës ka rezultuar me arrestimin e dy vëllezërve që dyshohen të kenë kryer së paku 6 vjedhje të rënda nga muaji dhjetor i vitit të kaluar deri në këtë muaj. Hetimi i Policisë rezultoi me identifikimin e tyre dhe zbulimin e rasteve të vjedhjeve që dyshohen se i kanë kryer në fshatin ku jetojnë. Ata tashmë ndodhen në ndalim policor, ndërkohë që Sinjali ka mësuar se për kë bëhet fjalë.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se dy vëllezërit e arrestuar në lidhje me këtë rast janë Fatlum dhe Rrahman Gashi, të cilët janë shoqëruar në stacion policor dhe kanë dhënë deklaratat e tyre para hetuesve policorë në lidhje me veprën me të cilën ngarkohen.

Gjatë aksionit policor është bastisur edhe shtëpia e të dyshuarve, kontroll ky që është realizuar me urdhëresë të lëshuar nga Gjykata, me ç’rast janë gjetur prova që janë sekuestruar si dëshmi lidhur me rastin.

Pas përfundimit të operacionit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarve të caktohet masa e ndalimit prej 48 orësh dhe dorëzimin e kallëzimit penal.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/