image Aksion i Policisë dhe Inspektoratit në disa kafeteri në Gjakovë, u vihet dryni dy prej tyre

Siguri

Aksion i Policisë dhe Inspektoratit në disa kafeteri në Gjakovë, u vihet dryni dy prej tyre

news image

Policia e Kosovës dhe Inspektorati kanë intervenuar sonte në katër kafeteri në Gjakovë, dy prej të cilave i kanë mbyllur për shkak se të njëjtat nuk i kanë respektuar masat e qeverisë kundër përhapjes së COVID-19, raporton Gazeta Sinjali.

Njëra nga kafeteritë e mbyllura është “Etno” për të cilën Gazeta Sinjali ka raportuar pak më parë se ishte stërmbushur me njerëz duke i shkelur vendimet e qeverisë antiCOVID.

Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta.

“Policia dhe Inspektorati sonte kanë intervenuar në katër lokale, dy prej të cilave janë mbyllur pasi që nuk i kanë respektuar masat kundër përhapjes së koronavirusit. Njëra prej tyre ka pasur leje nga Ministria e Shëndetësisë, por për shkak se ka tejkaluar numrin e pjesëmarrësve, policia është detyruar ta mbyllë. Ndërsa, rasti tjetër është kafeteria për të cilën gazeta juaj ka raportuar më herët. Vlen të përmendet që ky lokal gjatë kohës së pandemisë është mbyllur dy herë”, tha Graishta për Gazetën Sinjali.

Tutje, ai tha se nuk dihet se për sa kohë do të qëndrojnë të mbyllura dy lokalet e lartëpërmendura, por shtoi se meqë njëri nga ta është mbyllur edhe më parë, Inspektorati duhet ta ketë parasysh këtë gjë. /Gazeta Sinjali/