image A kanë QMF-të në Prishtinë kapacitete për të kryer vaksinimin antiCOVID, flasin nga Komuna

Shëndetësi

A kanë QMF-të në Prishtinë kapacitete për të kryer vaksinimin antiCOVID, flasin nga Komuna

news image

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, ka thënë se Qendrat e Mjekësisë Familjare në këtë komunë kanë kapacitete profesionale për të kryer vaksinimin e qytetarëve me vaksinën antiCOVID.

Tutje, ai shpreson se së shpejti Kosova do të fillojë vaksinimin masiv edhe pse ka dyshime se një gjë e tillë do të ndodhë shpejt.

“QKMF-ja, por edhe QMF-të e Komunës së Prishtinës kanë kapacitete profesionale për të kryer këtë punë. Sidoqoftë ne jemi të gatshëm në çdo moment t’i respektojmë edhe masat e qeverisë edhe çfarëdo lloj mase që do të vijë në të ardhmen shumë të afërt rreth vaksinimit të qytetarëve tanë sepse është koha që të fillojmë me vaksinimin e qytetarëve. Kapacitete kemi, mundësitë i kemi”, ka deklaruar Nushi.

“Trajnime nevojiten për punëtorë dhe besoj që qeveria në këtë aspekt do të organizojë edhe trajnime siç janë organizuar edhe në shumicën e shteteve në botë ku veç ka filluar vaksinimi ose aty ku ka përfunduar sikurse Izraeli. Por po shpresojmë që së shpejti të fillojmë edhe ne me vaksinimin edhe pse kam dyshime se mund të fillojmë shumë shpejt”, shtoi Nushi.

Nushi shtoi se kanë staf të mjaftueshëm, mirëpo nuk janë të trajnuar për këtë çështje.

“Staf të mjaftueshëm kemi, mirëpo nuk është i trajnuar për këtë çështje. Nëse ka nevojë duhet patjetër varësisht edhe prej kujt do ta marrim vaksinën dhe qeveria me cilën kompani do të lidh marrëveshje. Me siguri që stafi do të trajnohet po shpresoj shumë që qeveria ta ketë parasysh këtë çështje”, ka thënë Nushi për EO.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, gjatë së mërkurës ka thënë se QKFM-të, spitalet, por edhe palestrat sportive, janë objektet ku do bëhet shpërndarja e vaksinës anti-Covid./Gazeta Sinjali/