image 20-vjeçari i futet në shtëpi dhe e kap për fyti një grua në Gjakovë, i kërkon para

Siguri

20-vjeçari i futet në shtëpi dhe e kap për fyti një grua në Gjakovë, i kërkon para

news image

Policia e Kosovës ka arrestuar një 20-vjeçar me inicialet Sh.Z., për shkak të dyshimit se ai ka kryer grabitje në një shtëpi në rrugën “Shotë Galica”, sot, rreth orës 05:00, në Gjakovë, raporton Gazeta Sinjali.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurkaj, i cili tha se 20-vjeçari dyshohet se ka hyrë në shtëpinë e një gruaje, të cilës ia ka vjedhur 4 euro dhe një telefon në vlerë të 50 eurove.

“Datë 20.07.2021, viktima femër raporton se derisa ishet duke fjetur në shtëpinë e vet në rrugën ‘Shotë Galica’, në Gjakovë, rreth orës 05:00, një person i dyshuar i është hedhur me gjunj në trup dhe duke e shtrënguar për fyti ia kishte kërkuar të hollat, ku kishte arritur që t’i marrë nga portofoli shumën prej 4 euro, si dhe një telefon Samsung në vlerë prej 50 euro”, tha ai.

Në momentin kur e kishte kryer grabitjen, ai e kishte pasur të mbulur fytyrën me një kapelë, në formë maske, përtej së cilës nuk i vërehej fare fytyra.

Pasi e kishte kryer grabitjen, 20-vjeçari ishte larguar në drejtim të panjohur, për t’u arrestuar më vonë nga zyrtarët policorë të rajonit të Gjakovës.

Sh.Z., i komunitetit ashkali, në prezencë të avokatit, ka pranuar në tërësi veprën për të cilën dyshohej.

Gjërat e grabitura, si dhe kapela me të cilën dyshohet se është kryer grabitja, janë konfiskuar nga ana e policisë.

I dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në Qendrën e Ndalimit./Gazeta Sinjali/