Kim Jong-un nuk është i sëmundë dhe mund të jetë duke u fshehur nga pandemia e koronavirusit, sipas zyrtarëve të lartë jug-koreanë dhe amerikanë, në shpjegimet e fundit për mungesën e liderit koreanoverior nga jeta publike.
Korea e Veriut insiston se nuk ka konfirmuar asnjë rast të vetëm me Covid-19, pavarësisht se ndan kufirin me Kinën, ku edhe besohet të ketë filluar përhapja e koronavirusit.
Pavarësisht raportimeve të fundit që pretendonin se Kim-i kishte munguar në eventet kyçe të dy përvjetorëve, dhe se i është nënshtruar një operimi kirurgjik në zemër, ministri i unifikimit nga Korea e Jugut, Kim Yeon-chul, tha se ishte e arsyeshme të supozohej që lideri koreanoverior kishte vendosur të mos merrte pjesë në këto evente për shkak së frikës.
Kimi nuk ishte prezent më 15 prill në ceremoninë që shënonte përvjetorin e lindjes së gjyshit të tij – dhe themeluesit të Koresë së Veriut – Kim Il-sungut, shkruan The Guardian.
“Kemi kapacitetin informativ që na lejon të themi të bindur se nuk ka shenja të pazakonta në Kore të Veriut,” tha më tej Kim Yeon-chul.
“Ai nuk ka munguar asnjë përvjetor… që kur em ori pushtetin, por në shumë evente tjera, përfshirë edhe festime e bankete, janë anuluar për shkak të frikës nga koronavirusi.”
Zyrtarët amerikanë i kanë thënë Reutersit po ashtu se besonin që Kimi kishte marrë trenin privat për në bregun lindor të qytetit të Wonsanit që të strehohej nga virusi./ Gazeta Sinjali/