Një tjetër shqiptar nën urdhrat e trajnerit Jose Mourinho te Roma. Bëhet fjalë për 18-vjeçarin Kevin Zefi i cili në këtë sesion të merkatos është transferuar me të drejta të plota në kryeqytet te verdhekuqtë.
Sulmuesi, ishte në pronësinë e Inter aty ku shkëlqeu në sektorin e të rinjve zikaltër duke u shndërruar në një prej golashënuesve kryesorë të Inter U18. Te Roma, Zefi do të ketë mundësinë për t’u stërvitur me skuadrën e parë dhe në sytë e Mourinhos, në pritje të shansit të artë për të debutuar në elitën italiane, Serie A.
Këtë sezon, Roma ka pasur probleme në aspektin ofensiv teksa Paulo Dybala dhe Andrea Belotti nuk i kanë shpëtuar shqetësimeve fizike duke lënë të vetëm Lukakun.
Kështu, në rast se ia del të bindë në stërvitje, atëherë Zefi mund të ketë shansin për një rol prej protagonisti në pjesën e dytë të sezonit te Roma. Në karrierën e tij, Zefi që ka lindur në Dublin, numëron edhe 11 ndeshje e një gol me Irlandën U18.