Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, përmes një konference ka paraqitur masat e reja të cilat janë ndërmarrë nga kjo ministri, duke njoftuar se më nuk do të ketë shqiptim të tiketave, por për ata që nuk i përfillin masat e reja do të shkohet drejtpërdrejtë me gjoba.
“Dua të tërheq vërejtjen, se bazuar edhe në kompetencat që tashmë MSh-së dhe institucioneve të tjera u janë dhënë me LIGJIN PËR PARANDALIMIN E PËRHAPJES SË COVID -19, për ata që i shkelin rregullat, më nuk do të shqiptohen vërejtje paraprake, por do të shkohet drejtpërdrejt në gjoba dhe, urojmë të mos ndodh, por do të shkohet edhe në mbyllje të lokaleve apo veprimtarive që i shkelin rregullat e përcaktuara për menaxhimin e Covid-19” tha Zemaj.
Zemaj gjithashtu ka bërë të ditur se njëra ndër masat lehtësuese është edhe heqja e kufizimeve në lëvizje.
” Qeveria e Kosovës dje ka miratuar rekomandimet e MSh-së për lirimin e disa masave që kanë të bëjnë më heqjen e kufizimeve në lëvizje, zgjatjen e orarit të gastronomisë, lejimin e disa aktiviteteve sportive e kulturore, dhe disa masave të tjera, të cilat u japin më shumë frymëmarrje veprimtarive të tjera, me qëllim që edhe ato të zhvillohen gradualisht pas një fazë të vështirë si për sektorin shëndetësor, ashtu edhe për ekonominë dhe sektorët e tjerë”, shtoi Zemaj.
Ai, po ashtu ka paralajmëruar se nesër do ta vizitojë Aeroportin e Kosovës “Adem Jashari”, për të parë se a po respektohen masat e vendosura për parandalimin e COVID-19. /Gazeta Sinjali/