image Zbulohet në Prishtinë busti i senatorit amerikan, Bob Dole

Kosovë

Zbulohet në Prishtinë busti i senatorit amerikan, Bob Dole

news image

Është zbuluar busti i senatorit amerikan Bob Dole, me rastin e 30-vjetorit të vizitës së delegacionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të udhëhequr nga Dole në Kosovë në vitin 1990.

Busti ndodhet në rrugën që mban emrin e senatorit amerikan në lagjen Dardania në kryeqytet.

Përmes një video-mesazhi, Dole ka shprehur mirënjohje për inaugurimin e bustit në Prishtinë.

“Më vjen keq që nuk mund të jem me ju në inaugurimin e bustit, më kujton kohën para 30 vjetëve. Tridhjetë vite kemi punuar për të krijuar një shtet të fortë dhe shpresoj se do të vazhdoni të punoni për t’u bërë edhe më të fortë”, tha Dole.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se është nder i veçantë zbulimi i bustit të një personi siç është senatori Bob Dole.

“Senatori Dole është i pari që ka vizituar Prishtinën dhe presidentin Ibrahim Rugova në kohët më të vështira”, tha Hoti.

Ndërtimi i bustit të senatorit Bob Dole u bë nga artisti i njohur Luan Mulliqi, ndërsa projekti u financua nga Oda Amerikane në Prishtinë.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, të dielën ka zbuluar pllakën përkujtimore për nder të këtij përvjetori në sheshin “Nënë Tereza”.

Ish-presidenti Bill Clinton, ish-sekretarja e shtetit, Madeline Albright dhe tani Bob Dole, janë personalitetet të cilave u janë bërë buste në kryeqytetin e Kosovës. /Gazeta Sinjali