Lëvizja Vetëvendosje, përmes zëdhënësit të saj Arlind Manxhukës, ka publikuar letrat të cilat ia ka dërguar partive tjera politike, shkruan Gazeta Sinjali.
“Këto janë letrat që Kryetari Kurti i ka nisur në drejtim të subjekteve politike. Po ashtu kjo letër i është dërguar edhe subjekteve politike nga komunitetet”, njofton Manxhuka.
Në letrat e dërguara, kryetari i partisë, Albin Kurti, kandidat për kryeministër, bashkë me kandidaten për presidente Vjosa Osmanin, i kanë ftuar partitë në takime të ndara.
“Bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit, është me rëndësi që të procedohet tutje me formimin e institucioneve që reflektojnë vullnetin qytetar të shprehur në zgjedhje, sapo të certifikohen rezultatet përfundimtare nga ana e KQZ-së”, thuhet ndër tjera në letrat dërguara partive.
“Me qëllim që ky proces i konstituimit të institucioneve të bëhet sa më shpejtë dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën, ftoheni për konsultim për hapat e mëtejmë në këtë proces. Propozojmë që takimi të mbahet në formatin 1+1 me 15 mars në orën 12:30 në sallën N-303 Në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në letrën dërguar LDK-së.
Më 15 mars në orën 11:00 e ka ftuar Partinë Demokratike dhe më 15 mars në orën 13:30, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.