image VV-ja e quan skandal dhe të rrezikshëm revokimin e urdhërarrestit ndaj Radoiçiqit

Drejtësi

VV-ja e quan skandal dhe të rrezikshëm revokimin e urdhërarrestit ndaj Radoiçiqit

news image

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar lidhur me revokimin e urdhërarrestit ndaj Milan Radoiçiqit, i dyshuar për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal, shkruan Gazeta Sinjali.

Vetëvendosje thotë se një vendim i tillë i Gjykatës Themelore përbën skandal dhe rrezik, duke thënë se kushdo që ka marrë këtë vendim të papritur, e sheh si larje të borxheve të mëhershme apo kusht për aleancat e reja të nëntokës e parapolitikës.

“Kushdo këtë veprim të papritur e sheh me dyshim dhe si larje të borxheve të mëhershme apo kusht për aleancat e reja të nëntokës e parapolitikës. Prokuroria Speciale dhe Gjykata Themelore duhet t’i shpjegojnë publikut të Kosovës se pse nuk u dashka arrestuar më një kriminel. Po ashtu i bëjmë thirrje Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor të veprojnë. Rasti në fjalë është skaji i pasigurisë që mundet të shkaktojë për rendin publik ata që duhet ta mbrojnë atë. I bëjmë thirrje po ashtu organeve të sigurisë dhe atyre ligjzbatuese të jenë vigjilente përballë kësaj ngjarje”, thuhet në reagimin e VV-së.

Kjo parti ka thënë se institucionet e drejtësisë duhet të përgjigjen se pse kanë hequr dorë nga përndjekja e Radoiçiqit dhe “këto bashkëpunime me krimin e organizuar tash në kohën e ndërrimit të qeverisë janë tërësisht të papranueshme dhe duhet të hetohen”.

Si qeverisje e ardhshme jemi të përcaktuar qartë në funksion të sundimit të ligjit e triumfit të së drejtës. Por kjo gjë siç po dëshmohet nuk mund të arrihet me gjykatës e prokurorë që kanë shumë borxhe ndaj politikës apo ndaj krimit të organizuar. Andaj na duhet vetingu në gjyqësi e prokurori, na duhen profesionistë patriotë që i shërbejnë ligjit e vendit e jo burokratë në shërbim të krimit. As atij vendor e as atij rajonal”, thuhet në reagim.

/Gazeta Sinjali/