image Osmani, Serbisë: Dorëzone Radoiçiqin në Kosovë

Politikë

Osmani, Serbisë: Dorëzone Radoiçiqin në Kosovë

news image

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë ekskluzive për Christiane Amanpour në CNN, kryesisht ka folur për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, për të cilin tashmë Policia e Kosovës ka publikuar një numër të madh të fakteve që dëshmojnë përfshirjen e Serbisë në këtë akt, raporton Gazeta Sinjali.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq tashmë terrorist, ditë më parë përmes një letre publike të cilën e lexoi avokati i tij Goran Petronijeviq, pranoi përfshirjen në këtë terror ndaj Policisë së Kosovës, teksa shtoi se të gjithin e kishte organizuar vetë, kështu duke u munduar ta largojë barrën nga Serbia.

Për të njëjtin, mediat serbe raportuan sot se Prokuroria e Lartë në Beograd e mori në pytje, atje ku mohoi akuzat që iu rëndohen.

Ai në këtë Gjykatë po akuzohet për veprën penale prodhim, mbajtje dhe trafikim pa leje i armëve të zjarrit. 

Sipas Prokurorisë, Radoiçiq dyshohet se “ka siguruar armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla, në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës, nga janari 2023 deri më 24 shtator”.

Për kryekriminelin, Milan Radoiçiq presidentja Osmani gjatë intervistës së lartë cekur i kërkoi Serbisë që ta dorëzojë në Kosovë.

“Kërkesë e Kosovës është që Radoiçiqi të dorëzohet te autoritetet e Kosovës. Gjëja e parë që e duam është që Radoiçiqi t’i dorëzohet Kosovës që të ketë drejtësi. Serbia nuk ka bërë drejtësi”, ka thënë ajo.

Ndër tjera, Osmani paralajmëroi prova të reja të cilat faktojnë akoma më shumë përfshirjen e Serbisë në këtë sulm terrorist, të cilën e mohoi që nga dita e sulmit më 24 shtator.

Teksa, rreth deklaratës së Prokurorisë së Beogradit rreth blerjes së armëve në Tuzlla, ministri i Brendshëm i Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, Ramo Isak, tha për REL se “nuk ka informacion për ndonjë armë në zonën e Tuzllës”, që lidhet me rastin e Millan Radoiçiqit.

/GazetaSinjali/