image Përplasja për Radojçiqin, Kurti-Isufajt: S’duhet me kry as fakultetin juridik për identifikimin e një absurditeti të tillë

Politikë

Përplasja për Radojçiqin, Kurti-Isufajt: S’duhet me kry as fakultetin juridik për identifikimin e një absurditeti të tillë

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar sot deklaratën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i cili sot gjatë ditës tha se nuk është çështje e Kurtit ngritja e aktakuzave, pas kritikave të kryeministrit se ka mungesë të tyre pas sulmit të Banjskës.

Ai tha se është për t’u  habitur fakti se edhe pse Radojçiq e ka pranuar pjesëmarrjen në sulm, ende nuk ka aktakuzë.

“Nuk e di a ndani edhe ju me mua habinë. Si është e mundshme që Milan Radojçiq e pranon që ka kryer krimin dhe nuk ka aktakuzë. Unë besoj që nuk duhet as me kry Fakultetin juridik e as nuk ka nevojë me pas Bachelorin, Masterin ose Phd dhe as nuk ka nevojë me qenë prokuror e as gjykatës por vetëm arsyeja e shëndoshë normale e qytetarëve të Republikës e identifikon një absurditet të tillë”, ka thënë ai.

Më tutje, Kurti deklaroi se informacionet rreth Banjskës që janë sjell nga AKI-ja dhe Policia e Kosovës janë enorme.

“Nga informacionet që ka sjellë AKI-ja, Policia e Kosovës dhe ju gazetarët, në Banjskë e rrotull Banjskës është enorm ndërkaq shumica dërmues e qytetarëve të Republikës nuk ia dinë emrin prokurorit që merret me rastin e Banjskës”, tha tutje ai.

Pas gati tri vjetësh, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, e ka pranuar sot për herë të parë se ai kishte dhënë pëlqim për këtë çështje, derisa arsyet tha se s’mund të ndahen me opinionin.

Këtë deklaratë, Isufaj e dha në konferencën e fundvitit, ku shtoi se urdhërarresti i është rikthyer të njëjtit.

“Sa i përket tërheqjes së urdhër-arrestit për Radojiçiqin, ajo është çështje komplet e brendshme e Prokurorisë dhe të jeni të sigurt se ne nuk mund të ndajmë shumë detaje për opinionin për rastet që ne i trajtojmë. Duhet ta dinë qytetarët e Kosovës se ai nuk ka qenë kurrë në paraburgim. Është tërheq për një kohë urdhërarresti, i cili në ndërkohë iu ka rikthy”, tha kryeprokurori.

Tutje, Isufaj tha se pa miratimin e tij, s’do të mund të tërhiqej urdhër-arresti.

“Pa miratimin tim, s’kish mujt me ndodhë. S’diskutohet kjo. Unë e kam dhënë pëlqimin, por arsyeja pse e kam dhënë, s’mund t’i bëj publike. Këto janë çështje të ndjeshme, çështje të hetimit. Nuk mundet me ditë opinioni secilën situatë, pse ne, çka bëjmë. Unë në fakt nuk preferoj me i komentu rastet që i kemi nën hetim. Megjithatë,  po ka urdhër-arrest dhe ai urdhër-arrest është bërë me kërkesë të Prokurorisë Speciale, prej prokurorit përkatës”, shtoi ai.

/GazetaSinjali/