Gjatë ditës së sotme ka ndodhur një vrasje në fshatin Repë të Podujevës. Gazeta Sinjali mëson nga fqinjët e të ndjerit se motivi i vrasjes dyshohet se ka të bëjë me një kontest pronësor, konkretisht për një pronë të serbëve.
Sipas fqinjëve, i dyshuari kishte ardhur nga Anglia dhe i njëjti gjatë ditës së sotme vrau një person si dhe plagosi një tjetër, që të dy fqinjë të tij.
Siç mëson Gazeta Sinjali, i dyshuari ka ardhur nga Anglia dhe banon në fshatin Repë, ndërsa pjesën tjetër të familjes e ka në Angli.
Në fshatin Repë të Podujevës ka numër të madh të pronave që janë në pronësi të serbëve, e që shfrytëzohen nga banorët kosovarë.
Vrasjen dhe plagosjen për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, i cili ka thënë se rasti ka ndodhur sot pas orës 13:00.
“Më 18.07.2020 në orën 13:04, policia është njoftuar për të shtëna me armë zjarri në fshatin Repë të Podujevës. Menjëherë për në vend-ngjarje janë nisur njësitë policore. Është njoftuar edhe ekipi mjekësor emergjent. Nga përdorimi i armëve të zjarrit një person ka humbur jetën, kjo është konstatuar nga ekipi mjekësor, një person tjetër është i plagosur” ka thënë Krasniqi për Gazetën Sinjali.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është duke e trajtuar rastin. /Gazeta Sinjali/