image Vrasja në Pejë/ IPK nis hetimet nëse ka pasur ndonjë lëshim nga policët

Siguri

Vrasja në Pejë/ IPK nis hetimet nëse ka pasur ndonjë lëshim nga policët

news image

Sonte rreth orës 20:10 në stacionin policor të Pejës është vetëdorëzuar Xhevdet Januzaj, i dyshuar për vrasjen e Gëzim Kastratit, pasditen e djeshme, në lokalin “Zhara”.

Për këtë rast, Policia e Kosovës bën të ditur se ka njoftuar edhe Inspektoratin Policor për ndërmarrjen e veprimeve procedurale për hetimin e ndonjë lëshimi të mundshëm nga ana e zyrtarëve policorë.

“Policia e Kosovës është e përkushtuar në zbardhjen e të gjitha rasteve kriminale dhe sjelljen e kryerësve të këtyre veprave para drejtësisë, në të njëjtën kohë si institucion i zbatimit të ligjit jemi të vendosur që në bashkërendim me IPK-në, për çdo shkelje apo neglizhencë në detyrë nga zyrtarët policorë të merren veprime dhe masa rigoroze në funksion të zbatimit të ligjit pa dallim”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sinjali raportoi dje se Kastrati ishte nisur te lokali në fjalë për t’u hakmarrë ndaj Januzajt, i cili dyshohet se në vitin 2019 kishte tentuar t’ia dhunonte vajzën, që ishte nxënëse e tij.

Për rastin e tentim dhunimit Gjykata Themelore në Pejë në prill të këtij viti, e kishte dënuar arsimtarin me tre vjet e gjashtë muaj burgim, si dhe të njëjtit i ishte ndaluar ushtrimi i profesionit të mësimdhënësit për pesë vjet.

Mirëpo, ky rast është rikthyer në rigjykim.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/