Pas rastit tragjik i cili ndodhi dje në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë, sot Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit kundër të miturit E.V, shkruan Gazeta Sinjali.
Ndaj të dyshuarit sipas gjykatës rëndon akuza për veprën penale vrasje e rëndë.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.V. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Vrasje e rëndë nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Gjatë ditës së djeshme personi i dyshuar E.V, 15-vjeçar u dorëzua në polici e ku edhe ju sekuestrua një armë e ftohtë (thikë) e cila dyshohet të jetë përdorur në rast.
“Në prezencë të avokatit të personit të dyshuar, në koordinim me prokurorin e shtetit si dhe zyrtarët e Qendrës për Punë Sociale, hetuesit ndaj tij kanë filluar procedurat e nevojshme policore“, thuhet në njoftimin e Policisë.
Deri më tani nuk dihen rrethanat se si ka ndodhur kjo vrasje.