Të shtunën u ekzekutua 57-vjeçari Demir (Dem) Backa pranë një qendre tregtare në Fier. Backa ishte biznesmen, pronar i bar-restorantit “Piazza” në Fier.
Ndërsa hetimet për vrasjen e tij po vazhdojnë, mediat në Shqipëri kanë dhënë detaje mbi të dyshuarit. Raportohet se dorasit kanë përdorur një makinë me targa të vjedhura kosovare.
Siç shkruan TopChannel, makina u gjet e djegur në zonën pranë spitalit të ri në Fier dhe sipas policisë automjeti përdorte targa të vjedhura të Kosovës.
Në makinë janë gjetur edhe armët e përdoruara në krim. Prej tyre janë lëshuar breshëri plumbash, tre nga të cilët e kanë goditur viktimën në qafë dhe kokë dhe 15 në kraharor.
“BalkanWeb”, duke iu referuar burimeve nga grupi hetimor, raporton se policia shqiptare po bashkëpunon me Policinë e Kosovës për identifikimin e mjetit të autorëve, i cili u dogj pak kilometra nga qyteti i Fierit, teksa rezultoi me targa të Kosovës.
Ai që e ka qëlluar duket se është afruar duke i dalë përballë për t’i dhënë një mesazh. Ky është dyshimi i policisë. E më pas ka zbrazur karikatorin e kallashnikovit në gjoksin dhe kokën e viktimës.
Policia deri më tani ka shoqëruar 15 persona për t’i pyetur për ngjarjen, por asnjë nuk është arrestuar. Policia është duke verifikuar disa pista të mundshme për arsyet e kësaj vrasjeje./GazetaSinjali/