Rastet e vjedhjeve nëpër markete në Kosovë nuk janë të rralla, por jo gjithmonë kapen personat e dyshuar, pasi të njëjtit arrijnë të ikin. Por ndryshe ka ndodhur në një market në rrugën “Mehmet Gradica”, në Prishtinë, ku pamjet e sigurisë u bënë ‘sebep’, që hajni të arrestohet nga policia.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për marketin “Viva Fresh” në Prishtinë, ku një 49-vjeçar me inicialet B.S., kishte vjedhur një sasi të produktit ushqimor, kaçkavall, që kap vlerën e mbi 70 eurove. Punëtorët e marketit që vërejtën të dyshuarin duke kryer vjedhjen njoftuan menjëherë Policinë, me ç’rast një patrullë doli në vendin e ngjarjes, ku edhe u kap në flagrancë hajni.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se 49-vjeçari që u arrestua është recidivist, pasi dyshohet se ka kryer mbi 10 vepra të ndryshme penale.
Pas arrestimit të tij, Prokurori ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh në Qendrën e Mbajtjes në Prishtinë.