Një person është shëruar dhe të 14-të mostrat e dyshimta nga Komuna e Vitisë të cilat u testuan për koronavirus në laboratorin e mikrobiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovës, rezultuan negative, shkruan Gazeta Sinjali.
Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi të kësaj komune, në të cilin bëhet e ditur se numri i të shëruarve nga koronavirus në këtë komunë ka shkuar në 20.
“Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, shprehet i kënaqur që Vitia edhe sonte ka marrë lajme të mira. Ai njofton se në bazë të rezultateve të fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, nga 14 mostrat e testuara të gjitha janë negative, kurse një person i infektuar me COVID -19 është shëruar plotësisht. Me këtë numri i të shëruarve shkon në 20”, thuhet në njoftimin e Komunës së Vitisë.
“Kryetari Haliti vlerëson lart disiplinën e qytetarëve për zbatim të rekomandimeve, të cilat po sjellin rezultate. Gjithashtu, ai iu uron shëndet të shëruarit të fundit. I pari i komunës, u ka dëshiruar shëndet dhe tejkalim sa më të shpejtë të gjendjes edhe të infektuarve tjerë, duke uruar që së shpejti t’i kthehemi normalitetit të gjithë”, përfundon njoftimi./Gazeta Sinjali/