image Virologu që ndihmoi në zbulimin e Ebolës: Koronavirusi sapo ka filluar

Botë

Virologu që ndihmoi në zbulimin e Ebolës: Koronavirusi sapo ka filluar

news image

Virologu Peter Piot, i cili ndihmoi në zbulimin e Ebolës, ka thënë se koronavirusi sapo ka filluar dhe se vala e dytë mund të ketë karakteristika më ndryshe se vala e parë.

Kështu ka parashikuar virologu Piot, në një intervistë të dhënë “El Pais”.

“Pandemia sapo ka filluar, ajo mund të zgjasë me vite dhe mund të marrë jetë të tjera. Gjetja e një vaksine brenda një kohe të shkurtër do t’i ndryshonte gjërat. Shumë thonë që do të jetë gati deri në tetor, por ka më shumë të ngjarë të jetë gati në vitin 2021. Sigurisht që kjo mund të ndihmojë vërtet mbajtjen e epidemisë nën kontroll”

Ai deklaroi se koronavirusi e di se çfarë është pasi që ka qenë i infektuar dhe ka një këndvështrim më ndryshe.

“Tani e di se çfarë është, jo vetëm pse e kam studiuar, por edhe sepse e kam njohur “nga brenda”, pasi kam qenë i infektuar. Është një këndvështrim shumë i ndryshëm dhe i dobishëm, i cili më ka dhënë shumë më tepër arsye për ta luftuar edhe si shkencëtar”, shpjegon Piot për “El Pais”.

Si shumë kolegë të tij, ai gjithashtu pohon se të dhënat e përhapjes së COVID-19 janë të nënvlerësuara: “Unë besoj se kemi realisht afër 20 milionë raste infeksioni në të gjithë botën dhe se edhe vdekjet janë shumë më tepër sesa ato që raportohen. Koronavirusi, njësoj si HIV-i, është një epidemi e heshtur. Por është edhe shumë më tepër se kaq: është kriza më e madhe sociale në kohë paqeje”.

Më tutje Piot, ka theksuar se bota duhet të përgatitet për valën e dytë.

“Nëse mendojmë për Europën, praktikisht të gjitha vendet kanë arritur ta kufizojnë përhapjen e virusit. Vendet po kthehen në rrugën e duhur dhe qeveritë po shqyrtojnë disa masa. Por tani duhet të përgatitemi për të ashtuquajturën valë e dytë. Shpresoj që nuk do të jetë një cunami, por diçka më e ngjashme me shpërthimet që ne po shohim në Gjermani ose në klubet e natës në Kore. Në Britaninë e Madhe, ne vazhdojmë të shohim shpërthime të rasteve të reja në disa azile. E vërteta është se jemi vetëm në fillim të kësaj pandemie. Për sa kohë që ka njerëz të prirur për t’u infektuar, virusi gjithmonë do të jetë një rrezik sepse i duhen qelizat tona që të riprodhohet”, tha ai.

Piot aktualisht drejton Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Britaninë e Madhe dhe është këshilltar special i Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Ai ishte vetëm 27 vjeç, kur ndihmoi në zbulimin e Ebolës. Përvojë personale ka pasur edhe me koronavirusin, pasi rezultoi pozitiv në fillim të këtij viti./ Gazeta Sinjali/