Policia e Kosovës ka konfirmuar se deri me sot nuk ka ndërmarr ndonjë hap lidhur me intervistimin ose shoqërimin për në stacionin policor të ministrit në detyrë, Endrit Shala i cili dyshohet se sulmoi me grusht në fytyrë gazetarin, Ensar Ramadani.
Në raportin 24 orësh, Policia njofton vetëm për veprimet që sipas saj, pritet të ndërmerren në të ardhmen.
“QKUK, Prishtinë 17.12.2019, në orët e mbrëmjes, viktima mashkull K/Shqiptar, ka raportuar se është sulmuar nga i dyshuari mashkull K/Shqiptar. Njësitë relevante policore kanë dal në vendin e ngjarjes. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor. Në bashkëpunim dhe koordinim me IPK-në dhe prokurorinë do të merren veprime tjera lidhur me rastin.”, thuhet në përgjigjen e përgjithësuar të Policisë për ngjarjet e ditës së djeshme.
Gazeta Sinjali, sot më herët, raportoi sesi Policia e Kosovës për çdo ditë arreston dhe me urdhër të Prokurorisë dërgon në mbajtje, qytetarë të dyshuar për kanosje, sulme fizike, dhunë në familje e vepra tjera të natyrave të ndryshme.
Në vazhdën e kësaj, vetëm gjatë ditës së djeshme, 12 qytetarë janë dërguar në mbajtje, për vepra të ndryshme penale.
Por, forcat e rendit dhe të drejtësisë, njëjtë nuk vepruan me ministrin në detyrë të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, i cili përkundër se dyshohet se -sulmoi gazetarin, është lënë i lirë nga Policia dhe nuk është shqiptuar asnjë masë ndaj tij nga Prokuroria.
Në këtë formë organet e rendit dhe të drejtësisë po aplikojnë standarde të dyfishta duke krijuar pabarazi para ligjit dhe u nënshtruar përballë njerëzve të pushtetshëm në Kosovë.
Sulmi i pretenduar ndaj gazetarit, Ensar Ramadani përveç si cenim ndaj integritetit personal të një individi, konsiderohet atak mbi lirinë e medieve dhe të drejtës së publikut për të qenë i informuar pasi është penguar gjatë raportimit të tij për incidentin në Veternik.
Sulmin e ka dënuar mbrëmë, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës duke kërkuar nga policia, prokuroria dhe gjithë sistemin e drejtësisë t`i trajtojnë me prioritet rastet e gazetarëve. AGK në të njëjtën kohë inkurajon kolegët gazetarë që të vazhdojnë të kryejnë me përgjegjësi punën e tyre dhe të mos ndalen para asnjë sulmi e kërcënimi./ Gazeta Sinjali/