Mjeku Saudin Maliqi ka konfirmuar për Gazetën Sinjali se është intervistuar nga Policia lidhur me incidentin që ka ndodhur në parkingun e spitalit “Euromed”, ku dyshohet se kishte sulmuar me derën e veturës, pacienten e tij.
Përkundër se viktima e ka lajmëruar rastin në stacionin policor në Fushë Kosovë, ku ka kërkuar mbrojtje dhe i është dhënë trajtim mjekësor, drejtori i Klinikës Torakale në QKUK, e ka mohuar sulmin ndaj saj, e cila është emër i njohur për redaksinë.
“Jo, jo nuk është e vërtetë. Unë e kam dhënë dëshminë time edhe ajo të vetën. Nuk është e vërtetë që e kam sulmu, as hiç. Kurrgjë nuk ka të vërtete nga ajo, hiç. Ka qenë një shpikje. As nuk e kam prekë me dorë, as me kerr, as me kurrgjë. Kurrgjë nuk është ky rast, hiç.”, ka thënë për Gazetën Sinjali, kirurgu torakal, Saudin Maliqi.
Por, kur Gazeta Sinjali e ka pyetur për arsyen që kanë mundur ta shtyjnë viktimën për ta denoncuar atë si sulmues duke e lajmëruar rastin në polici, doktori Maliqi është përgjigjur:
“Ajo është anku, ndoshta ka pasë qejf me u anku, por kurrgjë s`ka aty.”, ka theksuar Maliqi.
Pas insistimit të redaksisë lidhur me këtë rast, mjeku Saudin Maliqi e ka implikuar sigurimin e Spitalit “Euromed” për këtë incident, përderisa e konfirmon se viktima është paciente e tij.
“Po, ka qenë paciente e sende… por rrugës roja e ka lutë me lëshu rrugën, e kanë shty me lëshu rrugën. Kurrgjë tjetër s`ka pasë. Nuk ka pasë ajo problem me mu. Roja e sigurisë së parkingut e ka shty me lëshu rrugën. Kurrgjë punë me mu s`ka pasë ajo”, ka përsëritur disa herë mjeku Saudin Maliqi.
Gazeta Sinjali më herët raportoi ekskluzivisht sesi drejtori i Klinikës Torakale dyshohet se ka goditur me derën e veturës, pacienten e tij, pasditen e djeshme rreth orës 17.30, në parkingun e spitalit “Euromed”.
Në raportin e mjekut familjar i cili i kishte dhënë ndihmën e parë në stacionin e policisë në Fushë Kosovë e të cilin e ka siguruar ” Sinjali” thuhet për ushtrim dhune. /Gazeta Sinjali/