image Çekia shpall të shtunën ditë zie për viktimat e sulmit masiv në Pragë

Evropë

Çekia shpall të shtunën ditë zie për viktimat e sulmit masiv në Pragë

news image

Policia në Republikën Çeke thotë se një student të enjten qëlloi për vdekje babanë e tij dhe më pas vrau 14 persona dhe plagosi 27 njerëz të tjerë në Pragë, në incidentin me të shtëna masive më vdekjeprurëse në vend. Sipas policisë çeke, personi që dyshohet se kreu krimin, vrau veten. Ministri i Brendshëm Vit Rakusan tha se të shtënat nuk kishin lidhje me terrorizmin ndërkombëtar. Shtëpia e Bardhë njoftoi se Uashingtoni është i gatshëm të mbështesin Republikën Çeke sipas nevojës pas të shtënave në Universitetin Charles në Pragë.

Qeveria çeke thotë se 15 njerëz u vranë dhe 27 të tjerë u trajtuan në spitale pas sulmit të së enjtes në Universitetin Charles të Pragës. Prej tyre, 12 janë në gjendje të rëndë dhe të paktën një në gjendje kritike.

Policia çeke ka identifikuar të vrarët dhe në mesin e tyre nuk ka të huaj. Mes të plagosurve janë dy shtetas të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe një nga Holanda. Ky rast sipas ministrit çek të brendshëm nuk ka lidhje me terrorizmin ndërkombëtar.

Qindra njerëz bënë nderimet e tyre për viktimat, ndërsa një memorial i improvizuar u ngrit në rrugë përballë universitetit.

Ata vendosën kurora me lule dhe qirinj ndërsa një flamur i zi valëvitej sipër.

“Isha në anën tjetër të lumit Vltava dhe dëgjova të shtëna armësh. Pashë makinat e policisë që kalonin dhe ishte e jashtëzakonshme për mua, pasi nuk kam parë kurrë një ngjarje të ngjashme, kaq afër”, thotë studenti çek, Daniel Broz.

“U befasova, pasi nuk e prisja fare që një gjë e tillë të ndodhte kaq afër meje… Isha në të njëjtën rrugë me policinë kur ata erdhën në vendin e ngjarjes”, thotë studenti amerikan në Pragë, James Traux.

Vendi i Evropës Qendrore me rreth 11 milionë banorë ka 300,000 njerëz që mbajnë armë, por të shtënat masive janë të rralla.

Policia çeke publikoi të premten imazhet nga operacioni i saj, teksa sulmuesi hapi zjarr në objektin e fakultetit të arteve në universitetin Charles në kryeqytetin çek.

Drejtori i shtabit rajonal të policisë në Pragë, Petr Matejcek tha se personi i armatosur vrau veten në ballkonin e ndërtesës së universitetit kur oficerët e policisë iu afruan atij.

“Ne do të analizojmë të gjitha pamjet filmike dhe materialet e tjera. Por, unë mendoj se falë faktit që hapësira iu zvogëlua dhe atij i mbeti vetëm një armë e cila nuk mund të gjuaj larg, ndërsa ne po i afroheshim, ai vendosi të kryejë vetëvrasje”, thotë Peter Matejcek, Drejtori i Policisë në Pragë.

Personi i armatosur dyshohet gjithashtu për vrasjen e një burri tjetër dhe vajzës së tij 2-muajshe, të cilët u gjetën të qëlluar për vdekje në pyll në një fshat në periferi të Pragës javën e kaluar, sipas autoriteve çeke.

Qeveria çeke shpalli të shtunën ditë zie në të gjithë vendin për të nderuar viktimat.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karin Jean-Pierre tha se Uashingtoni i ka ofruar mbështetje Pragës pas të shtënave që morën jetën e të paktën 15 njerëzve dhe plagosën dhjetëra të tjerë.

“Autoritetet federale janë në kontakt me autoritetet çeke, ndërsa hetojnë këtë incident dhe ne jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetje shtesë sipas nevojës”, tha zonja Karine Jean-Pierre. /VOA/

/GazetaSinjali/