Derisa tensionet në Veri të Kosovës po rriten dita ditës nga 5 nëntori i këtij viti kur edhe nisen dorëheqjet e zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës, institucioni kryesor i sigurisë mbetet pa drejtor, raporton Gazeta Sinjali.
Po bëhen katër muaj që Policia e Kosovës po udhëhiqet me ushtrues të detyrës së drejtorit, si shkak i dorëheqjes më 30 gusht të Samedin Mehmetit.
Ministria e Punëve të Brendshme më 7 shtator 2022 kishte shpallur konkursin për Drejtor të përgjithshëm i Policisë së Kosovës, ku kishin konkurruar 5 kandidatë.
Konkursi ishte mbyllur me 21 shtator të këtij viti, ku Gazeta Sinjali kishte raportuar për kandidatët të cilët po synojnë postin e të parit të Policisë e ata janë: Bahri Shala, Gazmend Hoxha, Fatos Haziri, Granit Fetahu dhe Sllagjana Stojanoviq.
Kanë kaluar tre muaj nga përfundimi i konkursit dhe ende nuk është zgjedhur drejtori.
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj tha për Gazetën Sinjali, se është e pakuptimtë që edhe pas tre muajsh të mbylljes së konkursit, të mos ketë drejtor të Policisë.
“Nuk ka ndonjë informacion nga Ministria e Punëve të Brendshme e as nga Qeveria lidhur me mos emërimin e drejtorit, pasi që dihet se kanë konkuruar 5 kandidatë dhe është formuar komisioni për mbarëvajtjen e procesit”, tha Qalaj.
Deputeti nga radhët e PDK-së më tej theksoi se MPB-ja është në terr informativ dhe nuk ka asnjë shpjegim për mos emërimin e drejtorit të ri.
“Është shqetësuese që Policia të mos ketë drejtor, kur edhe situata në veri është shqetësuese. I bëjë thirrje përsëri ministrit të Brendshëm dhe Qeverisë së Kosovës që sa më shpejt ta emërojë drejtorin e Policisë. Ose nëse ka probleme ta anulojë konkursin e të shpall të ri”, tha Qalaj.
Ish-drejtori i Policisë theksoi më tej se Policia po udhëhiqet me ushtrues të detyrës i cili nuk i ka kompetencat e plota dhe i cili sipas Qalajt vetëm e menaxhon Policinë.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë treguar për Gazetën Sinjali, se pse nuk po zgjidhet drejtori .
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, para deputetëve kishte deklaruar se me ushtrues të detyrës nuk ka ngecje brenda Policisë së Kosovës dhe të gjithë zyrtarët janë duke ushtruar detyrën me përkushtim e disiplinë duke zbatuar misionin e tyre.
“Pozita e drejtorit është ndër funksionet më të rëndësishme të shtetit dhe faza e dorëzimit të aplikacioneve është mbyll dhe tani jemi në proces të themelimit të Komisionit që do të vijojnë fazat tjera të procesit”, tha Sveçla.
Më tej ministri i Brendshëm theksoi se sapo të themelohet komisioni me anëtarët që i plotësojnë kriteret do të vijojmë me procedurat tjera deri në finalizim.
“Besoj se Komisionit me profesionalizëm bashkë me monitorët vendës e ndërkombëtar do t’ia dalin mbarë këtij procesi të rëndësishëm”, tha ministrit Sveçla.
Por ministri nuk ka treguar ndonjë afat se kur do të emërohet drejtori i Policisë.