Dje në Llaushë të Skenderajt, dyshohet se Skender Qerimaj e vrau gruan e tij, Lirije Qerimaj, me gjashtë plumba. E në lidhje me këtë rast ka folur vëllai i dorasit, shkruan Gazeta Sinjali.
Azem Qerimi tha se vëllai i tij ka pasur probleme psikike ndërsa kunata e tij ka qenë grua e mirë dhe e ndershme.
Azemi tha se ndihen shumë keq pas këtij rasti teksa kanë shprehur keqardhje edhe për familjen e gruas së vrarë.
Ai tregoi edhe se si rasti në Polici është lajmëruar dy-tri ditë para kësaj ngjarje.
“Lajmin e kemi marrë shumë të vështirë dhe shumë vështirë e kemi besuar. Nuk kemi besu se e bënë vëllai im atë. Vëllai im ka qenë një njeri i papunë, tre fëmijë, skamje dhe kohëve të fundit ka pasur edhe kriza. Fëmija e vet me shoqen e kanë lajmëruar policinë. Ata kanë shkuar atje dhe Policia i kanë mbajtur për pesë orë. Është fjala për dy tri ditë më herët. Në fund i kanë lëshuar të gjithë së bashku. Unë jam habitur me atë veprim të policisë, me e lëshu njeriun që ka tentu me mbytë bashkëshorten e tij dy-tri herë”, ka thënë vëllai i dorasit për arbresh.info.
“Më obligoj mua që të shkojë t’i blejë do sene që mem largu nga shtëpia edhe ashtu e morëm lajmin prej vëllezërve. Kur erdha në shtëpi e pashë që e kishte bërë atë akt shumë të ligë. Na vjen shumë keq prej familjes së të vrarës, kunatës sime. Ajo ka qenë një grua shumë e sinqertë. Ka qenë një femër e përkryer , e ndershme por vëllai im ka pasur probleme psikike dhe ato e kanë detyruar që ta bëjë atë akt”, ka thënë ai.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/