image Tragjedi në Skenderaj/ Burri dyshohet se vrau gruan e tij

Siguri

Tragjedi në Skenderaj/ Burri dyshohet se vrau gruan e tij

news image

Një 51-vjeçar me inicialet S.Q., dyshohet se ka qëlluar për vdekje gruan e tij 48-vjeçare me inicialet L.Q., në fshatin Llaushë të Skenderajt, raporton Gazeta Sinjali.

Lajmin për këtë rast që është cilësuar si “Vrasje e rëndë” e ka bërë të ditur Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media.

Sipas Policisë, rreth orës 13:40, 51-vjeçari i cili u arrestua nga Policia dyshohet se e ka plagosur gruan e tij, e cila është dërguar me urgjencë në Spitalin e Mitrovicës, ku ka ndërruar jetë.

“Nga  hetimet fillestare nga vendi i ngjarjes  bëhet e ditur se personi i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës (gruas së tij) L.Q., 48 vjeçare, e cila kishte pësuar lëndime të rënda, të njëjtën me urgjencë e kanë dërguar në spitalin rajonal në Mitrovicë. Ndërkohë nga autoritetet spitalore është raportuar se viktima si pasojë e plagëve kishte vdekur”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Në vendin e ngjarjes Policia njofton se ka gjetur një armë zjarri të llojit pistoletë me tre fishekë dhe gjashtë gëzhoja.

I dyshuari, pasi që është intervistuar, me urdhër të prokurorit, i është caktuar masa e ndalimit policor. Ndërkaq, trupi i pajetë i 48-vjeçares është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/