image Veliu paralajmëron aksione tjera të Policisë së Kosovës

Politikë

Veliu paralajmëron aksione tjera të Policisë së Kosovës

news image

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka folur për Gazetën Sinjali pas përfundimit të mega-aksionit të Policisë së Kosovës.

Teksa pohon se aksioni i mbrëmshëm është kryer me sukses, Veliu ka paralajmëruar edhe aksione të tjera të Policisë së Kosovës.

Veliu tha se aksioni ka përfunduar ashtu siç është planifikuar dhe nuk ka pasur ndonjë incident.

“Po ashtu siç është planifikuar, aksioni ka përfunduar pa asnjë problem, është arritur qëllimi që ka qenë. Personat që kanë qenë të dyshuar dhe të hetuar që një kohë të gjatë janë arrestuar. Kurse, objektet që kanë qenë të ndërtuara pa leje janë rrënuar. Në përgjithësi aksioni ka shkuar mirë. Nuk ka pasur asnjë incident gjatë operacionit.”, ka thënë Veliu.

Ai shtoi se do të ketë aksione tjera nga Policia e Kosovës në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit.

“Nëse ka nevojë edhe diçka tjetër, do të vazhdojmë me veprime që ta përfundojmë në tërësi operacionin. Do të ketë aksione tjera nga Policia e Kosovës.”, është shprehur ai.

Kurse, në pyetjen se pse ky operacion nuk ka ndodhur sa ishte ministër në Qeverinë Kurti, Veliu tha se shefi i Vetëvendosjes ka qenë pengesë për mos realizimin e këtij aksioni me kohë.

“Arsyeja që operacioni i mbrëmshëm nuk ka ndodhur gjatë qeverisë Kurti, është vetë Kurti, ai nuk ka qenë i gatshëm që ta fillojmë dhe ta përfundojmë aksionin, ai ka qene kundër dhe pengesa e mosrealizimit të këtij aksioni me kohë.”, ka përfunduar Veliu.

/Gazeta Sinjali/