Banorët e fshatit Gremnik të Klinës edhe pas pezullimit për ndërtimit të fabrikës së çimentos nga Ministria e Mjedisit, thonë se do të protestojnë sërish, nëse është nevoja kundër ndërtimit të saj, sepse sipas tyre ndikimi saj në mjedis do të jetë i lartë.
Destan Rudi nga fshati Gremnik i Klinës është i shqetësuar për rrezikun që mund t’ia shkaktojë ndërtimi eventual i fabrikës së çimentos.
Rudi, i cili ka 50 koshere me bletë, i druan rrezikut nga ndotja që mund të vijë nga prodhimi i çimentos që do të bëjë fabrika.
Ai është i gëzuar që u pezullua ndërtimi i fabrikës, pasi ndërtimi i saj do të mund të kishte pasoja shumë të rënda në mjedis, por edhe në shëndetin e banorëve, sepse prej këtij pozicioni ku e ka shtëpinë, janë vetëm 400 metra.
“Do të jemi deri në pikën përfundimtare që me çdo kusht ta ndalojmë ndërtimin e saj, pavarësisht kush është ai, sepse mbi të gjitha është çështja e jetës së njerëzve, e gjeneratave të reja. Zoti na ka falë këtë bukuri, i kemi 5 burime natyrore, ku vetëm njëri i ka 200 litra në sekondë, dhe kjo natyrë e bukur me ajër të pastër, që dikush e ka lakmi dhe për interesa personale ta degradojmë këtë, kjo është e papranueshme”, deklaroi Destan Rudi.
Udhëheqësi i grupit të protestuesve, Ahmet Gashi, tha se protesta e javës së kaluar duket se pati efekt në ndërgjegjësimin e institucioneve për ta pezulluar lejen për ndërtim të fabrikës.
Ai thotë se nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë që të ndërtohet fabrika, andaj paralajmëron se do të protestojnë sërish.
“Që në fillim është shkelë neni 52 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili ua garanton qytetarëve të drejtën për participim për çështjen e ambientit dhe ky është ligj, i cili na garantohet qoftë nevoja edhe në Gjykatën Kushtetuese dhe mendimi që kanë pasur ekspertët e jurisprudencës na kanë thënë se drejta është në anën e juaj, sepse përveç nenit të 52 u është shkelur edhe të drejtat tjera.
Sa u përket vlerësimeve të dëmeve që shkaktojnë fabrika e çimentos këtë e kanë dhënë doktorët e shkencës që kanë bërë elaborate të mirë”, deklaroi Ahmet Gashi.
Nga ana tjetër, zyrtarët e Klinës thonë se Komuna obligohet t’i zbatojnë ligjet në fuqi dhe që leja e ndërtimit për fabrikën është dhënë nga komuna më 25.01.2020, ngase Ministria e Mjedisit e ka pajisur me pëlqim mjedisor.
Sipas tyre, Kuvendi i Klinës e kishte anuluar lejen e Drejtorisë së Urbanizmit, por Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ia kishte kthyer se kjo përbën shkelje.
“Komuna nuk e ka autoritetin të bëjë asnjë gjë për momentin, përderisa operatori është i pajisur me gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Komuna pret vendimet e mëtejshme nga Qeveria, nëse ajo bën një hap, edhe ne qëndrojmë mbrapa. Tash ne s’kemi asnjë informacion me përjashtim të medieve që thuhet se është pezulluar, është e drejtë ligjore, ne nuk i komentojmë gjerat që i bën Ministria pas pezullimit të saj, ne konsultohemi me zyrën ligjore dhe marrim vendimet me kohë”, deklaroi Enver Berisha, drejtor i Urbanizmit, RTK.
E ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, thotë se duhet të dëgjohet zëri i tyre.
“Në bazë të analizave ne e kemi bërë pezullimin dhe tash trajtohet kjo çështje ne detaje se si ka qenë procedimi i lëndës…do të merren parasysh edhe banorët, protestuesit, mbase kanë të drejtë për të shikuar a kanë të drejtë a jo”, deklaroi, mes tjerash, ministri Aliu.
Për të kundërshtuar ndërtimin e fabrikës së çimentos, javën e kaluar banorët e fshatit Gremnik dhe fshatrave përreth protestuan në vendin ku pritej të ndërtohej fabrika. Kjo protestë çoi në pezullimin e të gjitha lejeve të ndërtimit të fabrikës dhe shqyrtimin e të gjitha dokumenteve të lëshuara për ndërtim të saj.