Të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që kanë mbushur moshën 65-vjeçare, gëzojnë të drejtën e pensionit bazik të moshës. Por ata obligohen që çdo gjashtë muaj të paraqiten në zyrat e pensioneve për t’ia dëshmuar shtetit se pensionisti është gjallë, raporton Gazeta Sinjali.
E shpesh ndodh që familjarët tentojnë të përfitojnë pensionet e prindërve ta tyre edhe pasi ata ndërrojnë jetë, duke mos lajmëruar për vdekjen e përfituesit të pensionit.
Sinjali mëson se kështu ka vepruar edhe një qytetar i Gjakovës, i cili edhe pas vdekjes së nënës së tij, ka vazhduar ta marrë pensionin në emër të saj.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se kjo u zbulua nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe të njëjtit kanë denoncuar rastin në organet e rendit.
52-vjeçari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku para hetuesve është shprehur i penduar dhe ka deklaruar se ka bërë tërheqjen e mjeteve për shkak te kushteve të rënda ekonomike në të cilat ndodhet. Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti ‘Mashtrim’ dhe i njëjti do të hetohet në liri.