Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur gjendje krize në Komunën e Gostivarit për një periudhë prej 30 ditësh, pas situatës së krijuar me ndotjen e ujit të pijshëm.
Vendimi u mor në mbledhjen e 195-të të Qeverisë, me propozim të Komitetit Drejtues, ku marrin pjesë ministrat përgjegjës dhe drejtues të institucioneve relevante.
Sipas njoftimit të Qeverisë, masa është ndërmarrë pasi pushteti lokal nuk është në gjendje të përballet me situatën e krijuar.
“Duke pasur parasysh se pushteti lokal nuk është në gjendje të përballet me situatën e krijuar në Komunën e Gostivarit, Qeveria solli këtë vendim me qëllim të mundësimit të koordinimit më të shpejtë ndërinstitucional, vënies në funksion të sistemit të furnizimit me ujë dhe sigurimit të ujit të pijshëm në afatin më të shkurtër të mundshëm”, thuhet në njoftim.
Qeveria thekson se mbrojtja e shëndetit të qytetarëve mbetet prioritet dhe se institucionet do të angazhohen për zgjidhjen e plotë të problemit.
Po ashtu, ekzekutivi ka kërkuar nga Prokuroria Publike që të zhvillojë një hetim të detajuar për rastin.
“Duhet të ketë përgjegjësi për secilin që ka vënë në rrezik shëndetin dhe jetën e qytetarëve të Gostivarit”, thuhet në reagimin e Qeverisë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!