Një pjesë e një rakete të kompanisë së Elon Musk, SpaceX, pritet të përplaset aksidentalisht me Hënën më 5 gusht, sipas llogaritjeve të astronomëve dhe vëzhgimeve të NASA.
Bëhet fjalë për pjesën e sipërme të raketës Falcon 9 upper stage, e cila peshon rreth katër tonë dhe aktualisht po lëviz në hapësirë me një shpejtësi prej më shumë se dy kilometra në sekondë.
Ekspertët sqarojnë se përplasja nuk është planifikuar dhe nuk paraqet rrezik për Tokën, por po ndiqet me kujdes për shkak të rëndësisë shkencore të saj, shkruan Euronews, transmeton Sinjali.
Astronomi amerikan Bill Gray, i cili përdor një sistem të specializuar për ndjekjen e objekteve hapësinore, kishte parashikuar përplasjen që në shtator. Sipas llogaritjeve të tij, pjesa e raketës do të godasë sipërfaqen e Hënës më 5 gusht 2026.
A do të shihet përplasja nga Toka?
Shkencëtarët ende po diskutojnë nëse kjo ngjarje do të jetë e dukshme nga Toka. Për shkak të pozicionit ku pritet të ndodhë goditja, ajo mund të jetë shumë pranë skajit të diskut hënor.
Pluhuri i ngritur pas përplasjes mund të ndriçohet nga Dielli dhe teorikisht të jetë i dallueshëm, por NASA vlerëson se mundësia për ta parë me sy të lirë ose edhe me teleskopë është shumë e vogël.
“Besoj se do të jetë shumë, shumë e vështirë për t’u parë, nëse jo e pamundur”, ka thënë William Cooke nga NASA, sipas agjencisë së lajmeve dpa.
Nuk është hera e parë që mbetje hapësinore godasin Hënën
Me rritjen e numrit të raketave dhe mbetjeve hapësinore, raste të tilla mund të bëhen më të shpeshta në të ardhmen.
Një rast i ngjashëm u regjistrua edhe katër vite më parë, kur një objekt i dyshuar si pjesë e një rakete të vjetër goditi Hënën. NASA kishte dyshuar për një raketë kineze, megjithëse Pekini i kishte mohuar këto pretendime.
Ndryshe nga eksperimentet e planifikuara ku shkencëtarët kanë shkaktuar përplasje në Hënë për qëllime kërkimore, rasti i gushtit pritet të jetë një përplasje e paqëllimshme e shkaktuar nga mbetjet hapësinore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!