Njëri nga figurat më famëkeqe të botës së narkotrafikut, Ismael “El Mayo” Zambada, është dënuar me burgim të përjetshëm nga një gjykatë federale në Shtetet e Bashkuara, duke i dhënë fund një karriere kriminale që zgjati gati katër dekada.
76-vjeçari, bashkëthemelues i kartelit famëkeq Sinaloa së bashku me Joaquín “El Chapo” Guzmán, u urdhërua gjithashtu të paguajë 15 miliardë dollarë (rreth 12.8 miliardë euro) si fitime të përfituara nga trafiku i drogës.
Vendimi u dha të hënën nga gjyqtari federal Brian Cogan në Bruklin të Nju Jorkut, pasi Zambada kishte pranuar fajësinë për akuza që lidhen me trafik droge dhe komplot kriminal, në kuadër të një marrëveshjeje që i shmangu dënimin me vdekje, raporton BBC, transmeton Sinjali.
Si përfundoi në duart e autoriteteve amerikane?
Në korrik të vitit 2024, Zambada u mashtrua nga Joaquín Guzmán López, djali i “El Chapos”. Atij iu tha se do të udhëtonin drejt veriut të Meksikës për të inspektuar pista të fshehta uljeje për avionë, por avioni përfundoi në Texas, ku ai u arrestua nga autoritetet amerikane.
Në marrëveshjen e fajësisë, Zambada pranoi se kishte luajtur një rol kyç në krijimin dhe drejtimin e rrjetit kriminal që, që nga fundi i viteve 1980, trafikoi sasi të mëdha kokaine dhe drogash të tjera drejt Shteteve të Bashkuara.
“Ismael Zambada kaloi pothuajse katër dekada duke helmuar komunitetet amerikane për të fituar miliarda dollarë dhe duke urdhëruar vrasjen e kujtdo që i dilte përpara”, deklaroi prokurori federal Joseph Nocella Jr., duke shtuar se “sot ky kapitull mbyllet përgjithmonë”.
Luftë brenda kartelit
Pas arrestimit të Zambadës, karteli Sinaloa është përfshirë në një luftë të përgjakshme mes fraksioneve rivale. Përleshjet kanë shkaktuar qindra persona të zhdukur dhe kanë përshkallëzuar dhunën në shtetin meksikan të Sinaloas.
Edhe pas arrestimit të “El Chapos” në vitin 2016, karteli u përball me konflikte të brendshme për kontrollin e territorit, ndërsa grupet rivale u përpoqën të përfitonin nga dobësimi i organizatës.
Ende nuk dihet ku do ta vuajë dënimin
Zambada ka kërkuar të transferohet në një burg-spital për shkak të problemeve shëndetësore që lidhen me moshën. Megjithatë, prokurorët federalë kundërshtojnë këtë kërkesë, duke argumentuar se ai vazhdon të përbëjë rrezik për sigurinë dhe mund të ndikojë ende në aktivitetet e kartelit edhe nga burgu.
Vendimin përfundimtar mbi institucionin ku do ta vuajë dënimin do ta marrë Byroja Federale e Burgjeve në SHBA.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!